Emri/ Në kërkim ndërkombëtar, arrestohet në Greqi 39-vjeçari, i dënuar për plagosje
Është arrestuar në Greqi shtetasi shqiptar Marinel Demiri, 39 vjeç, i shpallur në kërkim ndërkombëtar për plagosje të rëndë me dashje. Demiri është përfshirë në një konflikt me sende të forta në fshatin Pojan të Korçës, ku humbi jetën një 75-vjeçar që ndërhyri për të ndihmuar të birin.
Njoftimi i Policisë:
Kapet në Greqi dhe ekstradohet drejt vendit tonë një shtetas shqiptar i dënuar për plagosje të rëndë me dashje.
Në vijim të bashkëpunimit të Drejtorisë së Interpolit me zyrat homologe, për kapjen dhe ekstradimin e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar, është arrestuar në Greqi shtetasi shqiptar Marinel Demiri, 39 vjeç, banues në Pojan, Korçë.
39-vjeçari u arrestua nga autoritetet policore greke me qëllim ekstradimin drejt Shqipërisë, në zbatim të urdhër-arrestit ndërkombëtar të lëshuar nga Drejtoria e Interpolit, pasi Gjykata e Apelit Tiranë e ka dënuar me 5 vjet e 6 muaj burgim, për veprën penale “Plagosja e rëndë me dashje”. (I kanë ngelur për të vuajtur edhe 4 vjet, 5 muaj e 18 ditë).
Nga hetimet rezulton se shtetasi Marinel Demiri është përfshirë në një konflikt me sende të forta në fshatin Pojan, Korçë, gjatë të cilit ka humbur jetën shtetasi A. Z., 75 vjeç, i cili kishte ndërhyrë për të ndihmuar djalin e tij gjatë konfliktit me të rinjtë.