EMRI/ Në burg në Fier për vrasje të mbetur në tentativë, 36-vjeçarin e kërkon edhe Italia për trafik narkotikësh
Armand Lushaj (Jazaj), banues në Vlorë është arrestuar në mënyrë provizore në burgun e Fierit, me qëllim ekstradimi drejt Italisë.
Sipas policisë arrestimi i tij u bë pasi Gjykata e Apelit të Firences e ka dënuar me 9 vjet burgim (pjesa e mbetur e dënimit, 7 vjet, 8 muaj e 4 ditë burgim), për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”, e parashikuar nga Kodi Penal i Italisë.
36-vjeçari dyshohet se në periudhën 2016-2018, ka trafikuar sasi të konsiderueshme kokaine dhe cannabisi, në qytetet Firence, Arezo, Brindisi dhe Rieti, Itali.
Armand Lushaj (Jazaj), aktualisht ndodhet në IEVP Fier, pasi Gjykata e Vlorës i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja me dashje, mbetur në tentativë, dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
Në vitin 2020, në lagjen “29 Nëntori”, Vlorë, ky shtetas ka tentuar të vrasë me armë zjarri pistoletë, shtetasin A. Xh., të cilin e ka lënë të plagosur.
Ky shtetas, falë bashkëpunimit mes Interpol Tiranës dhe Interpol Athinës, është kapur në Greqi dhe në muajin korrik të vitit 2023, është ekstraduar nga Greqia për në Shqipëri.