EMRI/Ndërron jetë i burgosuri në burgun e Lezhës, i dënuar për…

Një i burgosur ka ndërruar jetë mëngjesin e sotëm në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale në Lezhë, në rrethana që po hetohen nga autoritetet.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 07:00 të mëngjesit të 25 qershorit 2025, kur i dënuari Allush Hysa, i datëlindjes 12.09.1989, u konstatua pa shenja jete nga stafi i burgut.

Hysa ndodhej në dhomën nr. 3, kati i parë, godina nr. 5 dhe vuante masën mjekësore “mjekim i detyruar” prej datës 27 nëntor 2021, në zbatim të një vendimi gjyqësor. Sipas dokumentacionit shëndetësor, ai ishte i diagnostikuar me epilepsi, çrregullim të sjelljes dhe prapambetje mendore.

I ndjeri ishte arrestuar më 23 janar 2014 për veprën penale të “plagosjes së rëndë”, dhe po vuante dënimin në këtë institucion korrektues.

Pas konstatimit të mungesës së pulsit, janë njoftuar menjëherë Struktura e Kontrollit të Brendshëm dhe Sigurisë së Burgjeve (SHKBSB), Prokuroria e Rrethit Lezhë, komisariati i Policisë, si dhe familjarët e tij.