Emri/ Motra e 34-vjeçarit të vrarë në Has rrahu prindërit e autorit, zbardhet si nisi konflikti për pronën
Një konflikt për pronësinë e një toke në fshatin Tpla të Hasit ka përfunduar në një vrasje të rëndë. Viktima është Ryshyt Sallahu, 34 vjeç, i cili u qëllua për vdekje nga Ylber Jaku, 41 vjeç, pas një zinxhiri ngjarjesh të dhunshme që përfshiu edhe të afërmit e tyre.
Sipas burimeve nga Policia e Kukësit, ngjarja ka nisur dy ditë më parë, kur motra e viktimës, Artiola Sallahu, 21 vjeçe, ka sulmuar fizikisht dy prindërit e Ylber Jakut, shtetasit Agim Jaku, 65 vjeç, dhe Vera Jaku, 60 vjeçe, gjatë një sherri për tokën. E reja dyshohet se ka përdorur një mjet të fortë, duke shkaktuar plagë të rënda tek të moshuarit, përfshirë thyerje të legenit tek nëna e autorit.
Pas këtij incidenti, policia arrestoi Artiola Sallahun, ndërsa të moshuarit u dërguan në spitalin e Traumës në Tiranë, ku vazhdojnë të jenë në gjendje të rëndë shëndetësore.
Ndërkaq, sot, Ylber Jaku, pas vizitës në spital ku pa gjendjen e rëndë të prindërve të tij, ka marrë armën dhe ka qëlluar për vdekje Ryshyt Sallahun, vëllain e Artiola Sallahut, në fshatin Tpla.
Policia ka arrestuar menjëherë Ylber Jakun dhe ka sekuestruar armën e përdorur në krim, ndërsa hetimet vazhdojnë për të zbardhur të gjitha rrethanat e ngjarjes.