EMRI/ “Më qëlloi ai…” Vrasja e shqiptarit në Greqi, identifikohet autori

Zbulohet identiteti i autorit të dyshuar të vrasjes së 41-vjeçarit shqiptar në Rafina të Greqisë. Ai është Mikel Selimaj, 46 vjeç nga Vlora, një emër i njohur për policinë greke për çështje të lidhura me drogën.

Ngjarja e rëndë ndodhi këtë të enjten pasdite, kur trupi i pajetë i Altin Arapajt, 41 vjeç, u gjet në një zonë rurale, brenda një vreshti në Rafina. Viktima ishte zhdukur për rreth 18 orë dhe ishte kërkuar intensivisht nga familjarët dhe forcat e rendit.

Sipas mediave greke, pak para se të ndërronte jetë, Arapaj kishte arritur të telefononte bashkëshorten e tij, duke i thënë se ishte qëlluar me armë dhe duke përmendur emrin e autorit: “Më qëlloi Mikel Selimaj”. Ai i dha edhe vendndodhjen e përafërt, duke tentuar të mbijetonte derisa dikush ta ndihmonte, por plagët rezultuan fatale.

Pas njoftimit të gruas në polici, nisën kërkimet. Fillimisht u gjet telefoni i tij i mbuluar me gjak, dhe më pas, disa metra më larg, trupi i pajetë i 41-vjeçarit.

Viktima, gjithashtu me origjinë nga Vlora, kishte precedentë penalë në Greqi për vepra të ndryshme penale, përfshirë trafik droge. Po ashtu edhe autori i dyshuar, Mikel Selimaj, është një emër i njohur për autoritetet dhe aktualisht është në kërkim nga policia greke.

Dyshohet se vrasja ka ndodhur për shkak të larjes së hesapeve mes dy personave që njiheshin prej kohësh dhe kishin bashkëpunuar më parë në aktivitete të paligjshme.

Policia greke ka ngritur një operacion të gjerë për kapjen e autorit, ndërkohë që hetimet për dokumentimin e plotë të ngjarjes vijojnë.