EMRI/ Kush është shqiptari që u ekzekutua në Greqi, dyshohet se i tregoi gruas autorin
Zbardhen detaje të reja nga ekzekutimi i rëndë i një shtetasi shqiptar në Greqi. Viktima është identifikuar si Altin Arapaj, 41 vjeç, i cili u qëllua për vdekje me armë zjarri në zonën bregdetare të Rafinës, në Athinë.
Sipas të dhënave paraprake nga autoritetet greke, Altin Arapaj është gjetur i pajetë brenda një vreshti, i goditur në fytyrë nga një plumb, duke lënë vendin e ngjarjes të përgjakur. Mediat greke raportojnë se, pak para se të ndërronte jetë, 41-vjeçari kishte arritur të telefononte gruan e tij, të cilës i kishte treguar se ishte qëlluar nga një mik. Dyshohet se ai mund t’i ketë përmendur edhe emrin e autorit, megjithatë kjo mbetet ende për t’u verifikuar nga hetuesit.
Altin Arapaj rezulton person me precedentë penalë në Greqi, i përfshirë në vepra të ndryshme penale, përfshirë dhe trafik droge. Ai ishte një emër i njohur për autoritetet greke.
Në vendngjarje ndodhen forcat e shumta të policisë, të cilat kanë rrethuar zonën dhe po vijojnë hetimet për të identifikuar autorin e krimit. Ekziston dyshimi se konflikti mund të ketë lidhje me të shkuarën kriminale të viktimës, por pistat mbeten të hapura.
Ndërkohë, bashkëshortja e viktimës po merret në pyetje nga autoritetet, pasi dyshohet se mund të ketë informacion të vlefshëm për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje të rëndë.