Emri/ Konfiskohen pasuritë e një personi në Elbasan, dyshohet se rrjedhin nga aktivitet kriminal në Mbretërinë e Bashkuar
Prokuroria e Elbasanit ka ndërmarrë një tjetër goditje ndaj pasurive me prejardhje të dyshimtë kriminale, duke kërkuar dhe marrë vendimin për konfiskimin e pasurive të shtetasit Leonard Coga. Sipas autoriteteve, pasuritë në fjalë dyshohet se rrjedhin nga veprimtaria kriminale e zhvilluar nga ai në Mbretërinë e Bashkuar.
Vendimi i marrë nga gjykata, me kërkesë të prokurorisë, parashikon konfiskimin e një apartamenti dhe dy garazheve, me një vlerë të përllogaritur prej rreth 200 mijë eurosh.
Leonard Coga është nën hetim për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, ndërsa dyshohet se ka investuar në Shqipëri të ardhura të përfituara përmes aktiviteteve të paligjshme jashtë vendit.
Hetimet ndaj tij janë pjesë e një operacioni më të gjerë të institucioneve ligjzbatuese për goditjen e pasurive të dyshimta, me qëllim parandalimin e përdorimit të sistemit financiar shqiptar për legalizimin e fitimeve të paligjshme.
Njoftimi:
Me kërkesë të Prokurorisë së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, u shpall fajtor për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, parashikuar nga neni 287/1 i Kodit Penal, shtetasi L.C. si dhe u konfiskuan tre pasuri të paluajtshme me prejardhje nga veprimtaria e tij kriminale në Mbretërinë Bashkuar.
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, në përfundim të gjykimit të procedimit penal nr.713, viti 2023 për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, parashikuar nga neni 287/1 i Kodit Penal, në ngarkim të shtetasit L.C, konfiskoi pasuritë e mëposhtme:
Pasuria e paluajteshme e llojit “Apartament”, ne qytetin e Elbasanit;
Pasuria e paluajteshme e llojit “Garazh”, ne qytetin e Elbasanit; dhe
Pasuria e paluajteshme e llojit “Garazh”, ne qytetin e Elbasanit;