Emri/ Kapet me pistoletë me fishek në fole në çantë, arrestohet 37-vjeçari në Astir

Një 37-vjeçar nga Lezha është vënë në pranga nga Policia e Tiranës, pasi u kap duke lëvizur në këmbë në zonën e Astirit, me një armë zjarri pistoletë në çantë, e pajisur me fishek në fole. I arrestuari David Simoni, rezulton të jetë i dënuar më parë për vjedhje.

Arrestimi u bë në kuadër të operacionit policor të koduar “Trigger”, i zhvilluar nga Komisariati Nr. 6 në bashkëpunim me inteligjencën policore.

Njoftimi i Policisë

DVP Tiranë/Finalizohet operacioni policor i koduar “Trigger”.

I armatosur me pistoletë, me fishek në fole, kapet në flagrancë në Astir dhe vihet në pranga 37-vjeçari. Sekuestrohet pistoleta.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, në vijim të punës për evidentimin dhe goditjen e rasteve të armëmbajtjes pa leje, bazuar dhe në informacionet e siguruara përmes inteligjencës policore, për një shtetas që lëvizte i armatosur, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Trigger“.

Gjatë operacionit, në Astir, shërbimet e Policisë kanë kapur në flagrancë shtetasin D. S. duke lëvizur me këmbë, me 1 armë zjarri pistoletë me fishek në fole, të cilën e mbante në çantë.

Në vijim të veprimeve u sekuestrua pistoleta dhe u arrestua shtetasi D. S., 37 vjeç, banues në Lezhë, i dënuar më parë për vjedhje.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.