EMRI/ Kapet me kokainë me vlerë 2.5 milionë euro shqiptari në Itali! Ja çfarë iu gjet në shtëpi

Një shqiptar është arrestuar në Itali me një sasi të madhe kokaine, ndërsa gjatë kontrolleve në banesën e tij dhe të prindërve janë zbuluar armë zjarri dhe mijëra euro cash. I ndaluari është identifikuar si Antik Ferko, 37 vjeç, banues në zonën e Spellos, në rajonin e Umbrias.

Sipas mediave italiane, Ferko u kap në flagrancë nga Guardia di Finanza në zonën e Perugias, teksa transportonte 25 kilogramë kokainë të ndarë në 10 pako të fshehura në ndarje të dyfishta poshtë dyshemesë së makinës, pranë vendit të shoferit dhe pasagjerit. Vlera e drogës së sekuestruar përllogaritet rreth 2.5 milionë euro.

Përveç drogës, në makinë u gjetën gjithashtu:

-55 mijë euro cash

-Një armë zjarri e vjedhur

-Pajisje telefonike të koduara që përdoreshin për komunikime të trafikut të drogës.

Operacioni u shtri më tej në apartamentin e të arrestuarit në Spello dhe në banesën e prindërve në Foligno. Në dhomën e gjumit të prindërve u gjet një tjetër sasi kokaine, një peshore precize, një pistoletë Beretta kalibër 6.35 mm (gjithashtu e vjedhur), tre telefona celularë, gjashtë karta SIM dhe 27 mijë euro të tjera.

Nga hetimet rezultoi se ndarjet e fshehta në automjet ishin ndërtuar në mënyrë artizanale, me një sistem mekanik të sofistikuar për të shmangur zbulimin nga kontrollet e policisë.

Gjithsej, autoritetet sekuestruan:

-Afro 80 mijë euro cash

-Dy armë zjarri të vjedhura

-Pajisje të komunikimit të koduara

-Sasi të konsiderueshme kokaine

Ferko pranoi pjesërisht përfshirjen në aktivitetin kriminal dhe është shprehur i penduar përpara prokurorit, por ka refuzuar të përgjigjet gjatë marrjes në pyetje. Pavarësisht mungesës së precedentëve penalë, gjykatësi për hetimet paraprake në Spoleto, Luca Cercola, vendosi arrest shtëpie me byzylyk elektronik për të dyshuarin.