EMRI/ Injoroi paralajmërimet për të mos u futur në det, shqiptarja humb jetën në një plazh në Tajlandë

Një ngjarje tragjike ka ndodhur në Tajlandë, ku një shtetase shqiptare ka humbur jetën pasi u mbyt në det. Viktima është identifikuar si Daniela Idrisi, 41 vjeçe, e cila kishte shkuar për pushime në plazhin Karon të Phuket bashkë me bashkëshortin e saj me origjinë egjiptiane, Mohammed Abdulkhaliya Hamdi Alsaba, 43 vjeç.

Sipas mediave vendase, çifti kishte konsumuar një vakt ushqimi dhe më pas kishte hyrë për të notuar në det, në një zonë ku ishin vendosur flamuj të kuq që paralajmëronin ndalimin e notit për shkak të dallgëve të forta dhe rrymave të rrezikshme.

Pavarësisht sinjalizimeve me bilbil dhe thirrjeve të shpëtimtarëve, të dy turistët injoruan paralajmërimet dhe u futën në ujë. Vetëm disa minuta më vonë, Daniela Idrisi humbi gjurmët në det. Ekipet e shpëtimit arritën ta nxjerrin trupin e saj nga uji dhe i dhanë ndihmën e parë në vendin e ngjarjes, përfshirë edhe CPR, përpara se ta dërgonin në spitalin e Chalong. Por për fat të keq, mjekët konfirmuan se 41-vjeçarja kishte ndërruar jetë përpara se të mbërrinte në spital.

Partneri i saj u gjet në gjendje të rënduar emocionale, duke shpërthyer në lot pranë trupit të saj. Ndërkohë, trupi i viktimës është dërguar për autopsi në Spitalin Vachira Phuket, ndërsa ambasada shqiptare është njoftuar për të ndihmuar me procedurat e transportimit të trupit në Shqipëri.