EMRI/ Arrestohet në Tiranë anëtari i ‘Ndrangheta’-s, në kërkim për krime të rënda

Policia shqiptare ka arrestuar në Tiranë Elis Rogën, një shtetas nga Berati, i kërkuar nga autoritetet italiane. Ai dyshohet se ishte pjesë e një grupi kriminal të lidhur me mafian italiane ‘Ndrangheta’.

Arrestimi u bë si pjesë e një operacioni të madh ndërkombëtar të quajtur “Operacionalja 53”, që u drejtua nga Prokuroria Antimafia e Romës në bashkëpunim me policinë shqiptare.

Sipas hetimeve, grupi kriminal ishte i përfshirë në veprimtari të rënda si:
• trafik droge,
• pengmarrje,
• dhunë dhe
• shantazh.

Grupi vepronte në disa zona të Italisë dhe gjatë operacionit janë sekuestruar rreth 1 ton kokainë dhe hashash.

Elis Roga kishte ikur nga Italia dhe fshihej në Shqipëri, ku dyshohet se vazhdonte veprimtarinë kriminale. Gjykata e Romës kishte lëshuar urdhër arresti për të. Ai është një nga 28 personat e arrestuar në këtë operacion.

Njoftim i Policisë:

Strukturat e Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale në Departamentin e Policisë Kriminale, bazuar në informacionet operative dhe në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, me Zyrën e Ekspertit të Sigurisë në Ambasadën Italiane dhe Projektin I-CAN, lokalizuan dhe arrestuan shtetasin E. R., 46 vjeç, banues në Tiranë.

Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, nga Interpol Roma, pasi ndaj tij Gjykata e Romës, Itali, ka lëshuar urdhër arresti për këtë shtetas, për veprat penale, “Organizata kriminale” dhe “Trafikimi i lëndëve narkotike”.

Veprat penale për të cilat, sipas Kodit Penal italian, parashikohet një dënim maksimal deri në 20 vjet burgim.

Vijojnë procedurat ligjore për ekstradimin e këtij shtetasi, në bashkëpunim me autoritetet e drejtësisë italiane.