EMRI/ I dënuar në Itali për pjesëmarrje në grup kriminal, arrestohet 54-vjeçari në Tiranë

Një 54-vjeçar i shpallur në kërkim ndërkombëtar është arrestuar në Tiranë. Sipas policisë shtetasi Bledar Bedini alias Bledar Imani ishte pjesëtar i një organizate kriminale. Bedini ishte i dënuar me 7 vite burg në Milano për veprën penale “Importimi dhe mbajtja e substancave narkotike”.

Interpol Tirana në bashkëpunim me Interpol Romën vijon procedurën për ekstradimin e tij në Itali.

Njoftimi i policisë:

Tiranë/Vijon operacioni policor i koduar “The Wanted”, për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar.

Kapet në bulevardin “Bajram Curri”, një shtetas i dënuar në Milano, për pjesëmarrje në organizatë kriminale për trafikim të lëndëve narkotike.

Si rezultat i një pune të mirorganizuar operacionale, të kryer në koordinim me homologët italianë, pas shkëmbimit të informacioneve nëpërmjet strukturave të Interpol Tiranës, me Interpol Romën, Seksioni i Kërkimit, gjatë kësaj faze të operacionit “The Wanted”, kapi dhe arrestoi me qëllim ekstradimin në Itali, shtetasin shqiptar, të shpallur në kërkim ndërkombëtar, Bledar Bedini alias Bledar Imami, 54 vjeç.

Gjykata e Milanos e ka dënuar 54-vjeçarin, me 7 vjet burgim, për veprën penale “Importimi dhe mbajtja e substancave narkotike”, kryer në kuadër të organizatës kriminale.

Interpol Tirana, në bashkëpunim me Interpol Romën, vijon procedurën për ekstradimin e këtij shtetasi, në Itali.