EMRI/ I dënuar me 7 vjet burg në Itali, arrestohet në Kavajë 43-vjeçari, pjesëtar i një organizate kriminale

Një operacion policor i koduar “Seven” ka çuar në arrestimin e 43-vjeçarit Ervin Balliu, banues në fshatin Gosë të Rrogozhinës, i cili ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet italiane. Ai ishte dënuar me 7 vjet burg nga Gjykata e Apelit e Torinos për veprat penale “Organizata kriminale” dhe “Trafikimi i narkotikëve”.

Sipas autoriteteve, Balliu ishte pjesëtar i një organizate kriminale që merrej me trafikun e lëndëve narkotike. Arrestimi i tij u krye në Kavajë, si rezultat i operacionit të zhvilluar nga Shërbimet Operacionale të Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Kavajë, të cilat vepruan mbi bazën e informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore.

Njoftimi i policisë:
Operacioni “Seven” u finalizua me kapjen e Balliut, i cili ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar që prej vendimit të Gjykatës së Apelit të Torinos më 6 qershor 2023. Autoritetet italiane e kishin dënuar për përfshirjen e tij në një rrjet kriminal që trafikonte drogë në Itali, duke shkelur dispozitat e Kodit Penal italian.

Pas arrestimit, 43-vjeçari është vendosur në pranga me qëllim ekstradimin drejt Italisë. Tashmë, Interpol Tirana në bashkëpunim me Interpol Roma pritet të ndjekin procedurat për dërgimin e tij në vendin fqinj, ku do të vuajë dënimin e dhënë nga autoritetet italiane.

Ky operacion konsiderohet një tjetër goditje ndaj krimit të organizuar dhe bashkëpunimit ndërkombëtar në luftën kundër trafikut të drogës.