Emri/ Grabiti shitësen dhe dyshohet se tentoi ta përdhunonte, kush është 48-vjeçari i me precedentë të shumtë penal
Një ngjarje e rëndë ka tronditur qytetin e Sarandës, ku një 48-vjeçar ka grabitur një dyqan rrobash dhe dyshohet se ka tentuar të përdhunojë shitësen. Ngjarja ka ndodhur në lagjen nr. 2, ku autori, nën kërcënimin e një thike, ka marrë 60 mijë lekë nga e reja 26-vjeçare dhe ka ushtruar dhunë fizike ndaj saj.
Policia ka identifikuar autorin si Jorgo Kumaraku, i njohur edhe me emrin Leonard Kumaraku, 48 vjeç, banues në fshatin Livadhja të Bashkisë Finiq. Ai është shpallur në kërkim dhe konsiderohet person me rrezikshmëri të lartë shoqërore për shkak të një historie të gjatë kriminale.
Kumaraku rezulton përdorues i lëndëve narkotike dhe është dënuar disa herë më parë për ngjarje të ngjashme. Në vitin 2007 ai grabiti me armë lodër punonjësen e kazinosë “Perla” në Sarandë, për çka u dënua me 5 vjet burg. Në 2008, u kap me celular në burg dhe dha një dëshmi të rreme kundër një polici, çka i shtoi 6 muaj dënimit.
Në shtator të vitit 2013, ai përsëriti skenarin e dhunës dhe grabitjes me armë lodër ndaj një punonjëseje kazinoje në Sarandë dhe, vetëm një ditë më pas, kreu një tjetër grabitje në Gjirokastër. Në vitin 2022 u dënua me 1 vit e 4 muaj burg për “kanosje” dhe “mbajtje pa leje të armëve të ftohta”, pasi kërcënoi një punonjëse pranë një bankomati në Sarandë. Në korrik të vitit 2023, u arrestua për vjedhje në një hotel në Livadhja.
Autoritetet shqiptare po punojnë për kapjen e Kumarakut, ndërsa vijojnë hetimet për të zbuluar nëse ka kryer edhe vepra të tjera penale. Më herët, ai është dënuar edhe në Greqi për trafik narkotikësh.