EMRI/ Britania vendos sanksione ndaj trafikantëve të emigrantëve, mes tyre edhe një shqiptar

Për herë të parë Mbretëria e Bashkuar ka vendosur sanksione të posaçme që godasin trafikimin e paligjshëm të njerëzve, duke shënjestruar udhëheqës të bandave kriminale, ndërmjetës dhe furnizues të pajisjeve për kontrabandimin e migrantëve, nga Azia deri në Ballkan dhe Afrikën e Veriut.

Mes të sanksionuarve është edhe shqiptari Bledar Lala, i identifikuar si drejtues i operacioneve të një grupi të organizuar të trafikimit në Belgjikë, si dhe një kompani në Kinë që reklamonte varka të vogla për trafik emigrantësh në një platformë online.

Sanksionet prekin një gamë të gjerë aktivitetesh kriminale nga furnizimi me varka të vogla për kontrabandë, sigurimi i pasaportave të rreme, transferta ilegale përmes sistemit Hawala, kontrabandimi me kamionë apo varka, deri tek drejtuesit e rrjeteve kriminale.

Masat përfshijnë ngrirjen e pasurive, llogarive bankare dhe ndalimin e veprimeve financiare me Mbretërinë e Bashkuar, duke synuar të paralizojnë aktivitetin kriminal.

Kjo iniciativë është pjesë e planit qeveritar “Plan for Change”, dhe është sanksioni i parë në botë i dedikuar për të luftuar trafikimin e njerëzve dhe krimin e organizuar të imigracionit të paligjshëm.

David Lammy, Sekretari i Jashtëm i Mbretërisë së Bashkuar, u shpreh: “Ky është një moment historik në përpjekjet tona për të ndalur krimin e organizuar të imigracionit. Ne do t’i gjejmë trafikantët kudo që të jenë dhe do t’i bëjmë përgjegjës. Mesazhi im për bandat që rrezikojnë jetë njerëzish për përfitime është i qartë: E dimë kush jeni dhe do të bashkëpunojmë me partnerët tanë për t’ju ndalur.”

Emrat që u sanksionuan sot:

Bledar Lala, shqiptar, drejtues i operacioneve të një bande në Belgjikë që kontrabandon njerëz përmes Kanalit Anglez.

Alen Basil, ish-përkthyes policor në Serbi, që drejton një rrjet kontrabande të dhunshëm, bashkë me zyrtarë të korruptuar.

Mohammed Tetwani, i njohur si “Mbreti i Horgos” në Serbi, udhëheqës i bandës famëkeqe Tetwani që torturon refugjatët që nuk paguajnë.

Një kompani kineze, Weihai Yamar Outdoors Product Co, u sanksionua për shitjen e varkave të përdorura për trafikim të njerëzve drejt Britanisë.

Sanksionet përfshijnë:

Ngrirje pasurish – askush në Britani apo me lidhje britanike nuk mund të ketë marrëdhënie financiare me personat e sanksionuar.

Ndalesë udhëtimi – të sanksionuarit nuk mund të hyjnë ose të qëndrojnë në Mbretërinë e Bashkuar.

Ndalesë për drejtues kompanish – ndalim për të qenë drejtor apo menaxher në kompani britanike.

Ky regjim sanksionesh u krijua nga ligji britanik për Sanksione dhe Pastrim Parash, dhe për herë të parë e targeton drejtpërdrejt krimin e organizuar të imigracionit.

Ai përfaqëson një pjesë kyçe të strategjisë “Ndalo, Dëno, Kthe” të FCDO për të parandaluar migrimin e parregullt dhe për të ndëshkuar ata që përfitojnë nga njerëzit në nevojë.