EMRI/ Arrestohet në Napoli shqiptari, në kërkim prej 12 vitesh, për trafik ndërkombëtar droge

Një shqiptar në kërkim prej 12 vitesh ka rënë në prangat e policisë së Napolit.

Mediat italiane bëjnë të ditur se personi i arrestuar është Fasli Qibini, 64 vjeç i dënuar me mbi 22 vite burg për trafik ndërkombëtar droge.

64 vjeçari konsiderohet si ndërmjetës në trafikun ndërkufitar të drogës dhe për këtë krim ai ishte shpallur në kërkim prej 2011

Sipas hetuesve, ai menaxhonte dhe ndërmjetësonte trafikun e heroinës midis Shqipërisë, Greqisë, Turqisë dhe Italisë Jugore, ku bënte biznes me klanin Di Lauro dhe më pas me “Nardielli”.

Policia kishte 12 vite që e kërkonte por Qibini tregohej i kujdesshëm me lëvizjet e tij, por jo për Krishtlindjet e fundit ku 64 vjeçari kishte vendosur të festonte me bashkëshorten dhe djalin. U arrestua më 5 janar teksa po ecte në rrugë duke ndezur një cigare të cilën sapo e kishte blerë.

Hetuesit të cilët nuk kishin reshtur së kërkuari ranë në gjurmët e tij pasi vunë re se familja Qibini blente vazhdimisht cigare pavarësisht se asnjëri nuk e pinte, me përjashtim të të arratisurit.  Dje, Qibini kishte dalë vetë për të blerë cigare kur u gjend papritur në prangat e polcisë.
Fasli Qibini  ishte në arrati prej prillit të 2011,  kur pavarësisht se ishte në arrest shtëpie ai u arratis dhe u zhduk pa lënë gjurmë. Ai është i arratisuri i parë i arrestuar për 2024 në Itali ndërsa vitin e kaluar karabinerët e Napoli kishin arrestuar 17 persona të shpallur në kërkim.