EMRI/ Arrestohet në Dubai dhe ekstradohet në Itali bosi shqiptar i kokainës! Si e organizonte trafikun nga Spanja dhe Maroku

Është ekstraduar nga Dubai drejt Italisë shqiptari Fatjon Gjonaj, i konsideruar si kreu i një organizate ndërkombëtare trafiku droge, me lidhje të ngushta me Luca Lucci, ish-udhëheqës i grupimit ultras italian “Curva Sud”, tashmë i burgosur.

Gjonaj, 39 vjeç, i cili ndodhej në kërkim ndërkombëtar që nga dhjetori 2024, u arrestua në Dubai më 3 qershor 2025 dhe u ekstradua të premten mbrëma. Ai u zbarkua në aeroportin “Fiumicino” në Romë në orën 18:15, për t’u shoqëruar menjëherë në burg në dispozicion të autoriteteve gjyqësore italiane.

Ekstradimi i tij është pjesë e një hetimi të gjerë të nisur nga skuadra mobile e Milanos, që filloi pas një sulmi ndaj Enzo Anghinellit më 12 prill 2019. Për këtë ngjarje janë dënuar në shkallë të parë Luca Lucci si porositës i dyshuar dhe Daniele Cataldo si ekzekutues.

Trafiku i drogës nga Spanja dhe Maroku

Sipas autoriteteve italiane, Gjonaj dhe Lucci ishin ortakë në një rrjet të sofistikuar trafiku të lëndëve narkotike, ku për një periudhë 7-mujore kanë trafikuar mbi 3.5 ton drogë (hashash, marijuanë dhe kokainë) me origjinë nga Spanja dhe Maroku, drejt Italisë.

Droga transportohej me kamionë drejt një magazine në Inveruno, në afërsi të Milanos, e më pas shpërndahej përmes punonjësve të Amazon, të cilët përdornin lehtësinë e lëvizjes për të transportuar pakot e drogës në rrjetin e shpërndarësve.

Sipas hetuesve, fitimet nga ky aktivitet kriminal shkonin deri në 1000 euro për kilogram hashash, ndërsa shifrat ishin më të larta për kokainën dhe marijuanën.

Në kuadër të të njëjtit hetim, më 17 dhjetor 2024 dhe 4 prill 2025, u arrestuan edhe 12 persona të tjerë, përfshirë Luccin. Gjonaj ishte pjesë kyçe e këtij rrjeti, i njohur për kontaktet ndërkombëtare dhe organizimin logjistik të trafikut.