EMRI/ Arrestohet efektivi i policisë në Elbasan, jepte fajde dhe shtrëngonte me dhunë qytetarët për kthimin e parave

Një efektiv i policisë në Elbasan ka përfunduar në pranga, pasi dyshohet se ushtronte veprimtari kriminale të fajdes dhe shtrëngimit me dhunë për kthimin e borxheve.

Në kuadër të operacionit të koduar “Last Rent”, zhvilluar nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Elbasan–Korçë), nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, u ndalua:

-Nënkomisari Edison Pema, me detyrë Specialist për Hetimin e Krimeve në Seksionin për Hetimin e Narkotikëve në DVP Elbasan.

Sipas hetimeve, Pema i jepte hua në formë fajdeje personave të ndryshëm dhe më pas, përdorte kanosje apo dhunë fizike, për t’i detyruar të shlyenin vlerat e larta të borxhit.

Hetimet janë zhvilluar me metoda speciale, ndërsa në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar 5 automjete të vitprodhimeve të fundit, në pronësi të disa personave të lidhur me këtë skemë.