EMRI/ Aksident i rëndë në Berat – Përplasen dy automjete, ndërron jetë 50-vjeçari

Një aksident tragjik ka ndodhur mëngjesin e sotëm në fshatin Moravë të Beratit, ku dy automjete janë përplasur me njëra-tjetrën, duke shkaktuar humbjen e jetës së njërit prej drejtuesve.

Viktima është identifikuar si Eduart Ismaili, 50 vjeç, i cili ka ndërruar jetë pak pas ngjarjes në spital, për shkak të plagëve të rënda të marra nga përplasja. Siç shihet edhe nga pamjet në vendngjarje, automjeti me të cilin lëvizte ai ka përfunduar në një kanal anash rrugës dhe është shkatërruar pothuajse plotësisht.

Ndërkohë, drejtuesi i mjetit tjetër, një 31-vjeçar me inicialet F.P., ka shpëtuar pa lëndime fizike.

Policia ka nisur hetimet për të përcaktuar shkaqet dhe rrethanat e plota të aksidentit, ndërsa trupi i viktimës është dërguar në morgun e spitalit rajonal të Beratit për ekspertizë mjeko-ligjore.