EMRAT/ Zbardhet vrasja e profesorit polak që tronditi Greqinë, në pranga edhe dy shqiptarë – si u organizua atentati nga ish-gruaja
Policia greke ka zbardhur plotësisht vrasjen e profesorit polak 43-vjeçar, i cili u ekzekutua më 4 korrik në Agia Paraskevi të Athinës. Hetimet e thelluara kanë çuar në arrestimin e pesë personave, përfshirë dy shqiptarë, dhe kanë nxjerrë në dritë një plan të mirëmenduar që dyshohet se u urdhërua nga ish-bashkëshortja e viktimës.
Sipas burimeve zyrtare, në pranga janë vënë dy grekë, një bullgar dhe dy shqiptarë: Andrea Sherri, 24 vjeç dhe F. Driza, 16 vjeç. Të gjithë do të dalin përpara prokurorisë, ndërsa autoritetet dyshojnë se në qendër të organizimit të vrasjes qëndronte ish-bashkëshortja e profesorit, e akuzuar si nxitëse e krimit.
Motivi i dyshuar kryesor është një vendim gjykate që i lejonte profesorit të merrte fëmijët e tij jashtë Greqisë, gjë që dyshohet se e shtyu ish-gruan të planifikonte vrasjen. Përplasjet mes tyre nuk kufizoheshin vetëm në çështjen e kujdestarisë, por përfshinin edhe probleme financiare nga biznesi i përbashkët në SHBA.
Autori i dyshuar, partneri aktual i gruas 35-vjeçare, konsiderohet si ekzekutori. Ajo kishte kërkuar ndihmë nga një mik bullgar në Nafplio, i cili e vuri në kontakt me dy shqiptarët. Këta të fundit nuk pranuan të kryenin atentatin, por u përfshinë në logjistikë – ndihmuan me transportin dhe ndërtimin e një alibie, kundrejt pagesës prej 1.500 deri në 2.000 euro, që do të paguhej nga vetë partneri i gruas.
Vrasja u krye pas një takimi të viktimës me ish-gruan dhe fëmijët te një psikolog për fëmijë në zonën e Haidarit. Meqenëse nuk kishte mundësi të vepronte aty, autori e ndoqi dhe e qëlloi disa orë më vonë në rrugën “Irini”, pranë vendit ku viktima do të merrte fëmijët.
Pas atentatit, autori hodhi armën (një pistoletë TT) dhe rrobat në kazanët e plehrave, më pas udhëtoi me autobus dhe taksi për në Nafplio për të forcuar alibinë. Telefonin e tij ia kishte lënë bashkëpunëtorit bullgar për të krijuar përshtypjen se ndodhej larg Athinës.
Policia nisi të zbulojë të vërtetën pasi identifikoi makinën me qira të bashkëpunëtorëve nga kamerat e sigurisë. Arrestimet pasuan dhe zbërthyen një skemë të gjerë, e cila mori një kthesë të papritur kur dy shqiptarët filluan të shantazhonin autorin, duke i kërkuar 40.000–50.000 euro për të mos treguar të vërtetën.
Detajet e zbuluara nga hetimet përfshijnë edhe një aspekt tronditës: përfshirjen pa dijeni të djalit 14-vjeçar të autorit të krimit. Ai kishte në dorë një telefon përmes të cilit ishin kryer komunikimet mes organizatorëve, duke u bërë pa e ditur një hallkë në këtë plan kriminal.