EMRAT/ Trafik armësh nga Kosova në Shqipëri, Gjykata e Kukësit lë në burg dy të arrestuarit

Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm në Kukës ka caktuar masën e sigurisë “Arrest me burg” për dy shtetas të arrestuar për trafik armësh nga Kosova në territorin shqiptar.

Të arrestuarit janë Shkëlqim Qenaj dhe Avdulla Mallaki, të dy banues në Prizren, të cilët u ndaluan nga Policia e Kukësit të premten, më 4 korrik, në zonën e “Urës së Hasit”.

Sipas hetimeve paraprake, ata dyshohet se kanë trafikuar armë zjarri nëpërmjet kufirit jeshil, me qëllim shitjen e tyre në Shqipëri. Gjatë kontrollit të mjetit me të cilin udhëtonin, policia gjeti dhe sekuestroi 8 armë zjarri, të fshehura në bagazh dhe të vendosura në çanta të veçanta.

Dy persona të tjerë, të cilëve dyshohet se u ishin destinuar armët, arritën të largohen sapo panë prezencën e shërbimeve të policisë dhe janë aktualisht në kërkim.