Emrat/ Shisnin drogë nëpër qytet, kapen në flagrancë dhe arrestohen 5 persona në Tiranë

Një grup kriminal është goditur nga Policia e Tiranës ku janë vënë në pranga 5 persona të cilët u kapën në flagrancë teksa po tregtonin 5 kg Cannabis Sativa.

Bëhet fjalë për shtetasit: Erjan Perlleshi, Elsad Germaj, Shaban Nikolli(Germaj), Egzon Buzalli dhe Alban Prendi.

Sipas bluve, 2 prej tyre po transportonin lëndën narkotike, me automjet, ndërsa 3 të tjerët i shoqëronin me një automjet tjetër.

Gjithashtu policia sekuestroi 2 pakot me Cannabis Sativa, 2 automjetet dhe 5 celularë.

Njoftimi i policisë:

Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë

Finalizohet operacioni policor i koduar “Valiasi”.

Kapen në flagrancë dhe vihen në pranga 5 shtetas të përfshirë në një rast të shitjes së 5 kg Cannabis Sativa.

2 prej tyre po transportonin lëndën narkotike, me automjet, ndërsa 3 të tjerët i shoqëronin me një automjet tjetër.

Sekuestrohen 2 pakot me Cannabis Sativa, 2 automjetet dhe 5 celularë.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 5, në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme për goditjen e veprimtarive kriminale, kanë finalizuar një tjetër operacion për goditjen e një rasti të tentativës për të shitur lëndë narkotike.

Si rezultat i operacionit të koduar “Valiasi”, u arrestuan në flagrancë shtetasit:
-A. P., 25 vjeç, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”;
-E. G., 22 vjeç, Sh. N.(G.), 20 vjeç (vëllezër), E. P., 26 vjeç dhe E. B., 23 vjeç, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”.

Gjatë operacionit, bazuar në informacionet e siguruara nga burimet operative, shërbimet e Policisë kanë ndaluar në Valias, 2 automjetet e dyshuara, automjetin tip “Audi” me drejtues shtetasin A. P. dhe pasagjer shtetasin E. P. dhe automjetin tip “Jaguar” që e ndiqte nga pas, me drejtues shtetasin E. B. dhe pasagjerë shtetasit Sh. N.(G.) dhe E. G, të cilët tentuan të largoheshin në momentin e ndërhyrjes së Policisë.

Gjatë kontrollit në automjetin me drejtues shtetasin A. P., shërbimet e Policisë kanë gjetur 2 pako me lëndë të dyshuar narkotike Cannabis Sativa, me peshë totale 5 kilogramë e 300 gramë, që dyshohet se po transportohej me qëllim shitjen.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.