Policia e Tiranës çon në SPAK deputetët e opozitës që u përfshinë ditën e djeshme në protestën e dhunshme në ambientet brenda dhe jashtë Kuvendit të Shqipërisë. Në njoftimin zyrtar thuhet se Policia e Tiranës ka referuar materialet në Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në gjendje të lirë për deputetët:
– Elda Hoti, 32 vjeçe, për veprën penale “Kanosja” dhe “Shkelja e rregullave mbi lëndët helmuese”;
– Flamur Noka, 53 vjeç, Bledjon Nallbati, 38 vjeç, Gazment Bardhi, 39 vjeç, Dashnor Sula, 55 vjeç, Luan Baçi, 61 vjeç, dhe Saimir Korreshi 43 vjeç, për veprën penale “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”.
“Ditën e djeshme, në ambientet e sallës së seancave plenare të Kuvendit të Shqipërisë, shtetasja E. H., ka hedhur në drejtim të deputetëve një lëndë të lëngshme të paidentifikuar, ndërsa në hyrje të godinës së Kuvendit të Shqipërisë, shtetasit F. N., B. N., G. B., D. S., L. B., dhe S. K., kanë kundërshtuar me dhunë punonjësit e policisë të planëzuar me shërbim”, njofton Policia.
NJOFTIMI
Tiranë
Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë në lidhje me tubimin e zhvilluar ditën e djeshme, në vijim të veprimeve hetimore të kryera ka referuar materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, në gjendje të lirë për shtetasit A. K., 60 vjeçe, për veprën penale “Prishja e rendit dhe qetësisë publike”, “Ndotja e ajrit, e ujërave dhe e tokës”dhe “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme”;
– K. B., 22 vjeç, K. B., 35 vjeç, I. T., 49 vjeç, A. H., 45 vjeç, dhe S. N., 38 vjeç, për veprat penale “Kundërshtimi i punonjësit të Policisë së Rendit Publik”, dhe “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme”.
Këta shtetas ditën e djeshme kanë djegur dy goma automjetesh dhe më pas janë bashkuar me grupin e deputetëve dhe kanë kundërshtuar punonjësit e Policisë.
Materialet i kaluan Prokurorisë.