EMRAT/ Plagosja e dyfishtë në Sarandë, identifikohen autorët! Dy vëllezërit me precedentë penalë
Policia e Sarandës është vënë në kërkim të dy vëllezërve si autorë të dyshuar të plagosjes së dy personave. Në operacion janë angazhuar edhe forcat e ndërhyrjes së shpejtë (FNSH).
Të dyshuarit janë Ramadan Zoto, i njohur edhe si Ramadan Canaj, 43 vjeç, i dënuar më parë në Greqi për vrasje dhe armëmbajtje pa leje. Aktualisht ai është në proces gjyqësor në Sarandë për akuzën “goditje për shkak të detyrës”. Zoto konsiderohet person me rrezikshmëri të lartë, pasi gjatë aktivitetit të tij kriminal në Greqi ka shkëmbyer zjarr me policinë greke disa vite më parë.
Në kërkim është shpallur edhe vëllai i tij, Erjon Canaj, 35 vjeç. Në dhjetor të vitit 2022 ai ka dhunuar rojen e Spitalit të Sarandës, ndërsa në shkurt 2024 është arrestuar në banesën e tij me dy pistoleta. Megjithatë, disa muaj më parë, Gjykata e Sarandës e ka shpallur të pafajshëm.
Kontrollet vijojnë në disa zona të Sarandës dhe përreth saj, ndërkohë që policia nuk ka dhënë ende detaje për gjendjen e të plagosurve.