Emrat/ “Na kërcënuan me armë”!Pas kallëzimit të vëllezërve të kandidates për deputete të PS, shpallen në kërkim dy persona

Fushata elektorale në Lezhë është përfshirë nga një incident, pasi dy vëllezër, E. N. dhe D. N., kanë kallëzuar në polici se janë ndjekur dhe kërcënuar me armë zjarri nga persona të panjohur, teksa udhëtonin me automjetin e tyre në fshatin Dajç.

Viktimat janë vëllezërit e kandidates për deputete të Partisë Socialiste në qarkun e Lezhës, Klotilda Ndreca, të cilët kanë lidhur ngjarjen me aktivitetin elektoral të motrës së tyre.

Si rezultat i hetimeve paraprake, u identifikuan si autorë të dyshuar shtetasit Xhejson Seferaj, 27 vjeç, dhe Ilirjan Gjoka, 40 vjeç, të cilët janë shpallur në kërkim.

Sipas Policisë, ngjarja ndodhi rreth orës 23:25, kur automjeti i E. N. dhe D. N. u ndjek nga dy mjete të tjera dhe më pas ata u kanosën me armë zjarri në fshatin Dajç.

Njoftimi i policisë:

Drejtoria Vendore e Policisë Lezhë

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Lezhë referuan materialet në Prokurori dhe shpallën në kërkim shtetasit Xhejson Seferaj, 27 vjeç, dhe Ilirjan Gjoka, 40 vjeç, si autorë të dyshuar për veprat penale “Kanosja apo dhunimi i pjesëmarrësve në zgjedhje” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.

Shpallja në kërkim e tyre u bë pas kallëzimit të bërë rreth orës 23:25 të datës 04.05.2025, nga shtetasit E. N. dhe D. N., të cilët njoftuan se automjeti me të cilin lëviznin ishte ndjekur nga dy automjete të tjera, dhe më pas, në fshatin Dajç, ishin kanosur me armë zjarri nga personat që ndodheshin në ato mjete.

Sipas denoncuesve, kjo ngjarje ka lidhje me fushatën zgjedhore të motrës së tyre, shtetases K. N., kandidate për deputete në qarkun Lezhë.

Shërbimet e Policisë vijojnë intensivisht punën për kapjen e autorëve. Nën drejtimin e Prokurorisë së Lezhës po kryhen hetime për të zbardhur dhe dokumentuar të gjitha rrethanat e kësaj ngjarjeje me prova ligjore.