Policia greke ka arrestuar dy shtetas shqiptarë, Jenis Tulja (44 vjeç) nga Tirana dhe Mirjan Guveli (45 vjeç) nga Saranda, të dyshuar për përfshirje në atentatin ndaj Irakli Davellës më 15 dhjetor 2024. Në këtë ngjarje, Davella mbeti i vrarë, ndërsa miku i tij, Edi Lolo, u plagos rëndë.
Arrestimet u kryen gjatë një operacioni të sinkronizuar në dy banesa në lagjet “Nea Smyrni” dhe “Peristeri” të Athinës, ku policia sekuestroi edhe një armë zjarri. Sipas mediave greke, dy të dyshuarit kanë qëlluar ndaj Davellës teksa ai ndodhej në një automjet të vjedhur.
Sipas hetuesve, vrasja mund të ketë qenë rezultat i një përplasjeje mes grupeve kriminale rivale. Davella, i cili kishte një histori me drejtësinë greke, ishte arrestuar në 2009 për pjesëmarrje në organizatë kriminale, gjobëvënie dhe aktivitete të tjera të paligjshme. Megjithatë, për më shumë se një dekadë ai nuk kishte rezultuar aktiv në veprimtari kriminale.
Pavarësisht kësaj, hetimet sugjerojnë se mund të ketë qenë i përfshirë në trafik droge dhe ruante lidhje të fuqishme në botën e krimit në Athinë, Korfuz dhe Sarandë. Policia po heton gjithashtu mundësinë që miku i tij i plagosur, i cili kishte ardhur nga Dubai pak kohë para atentatit, të ketë qenë shënjestra kryesore.
Davella, i njohur si një personazh me lidhje në botën e krimit, ishte përmendur edhe në një dokument zyrtar të Parlamentit grek në 2013, si pjesë e një grupi mafioz të përfshirë në gjobëvënie, vrasje dhe pastrim parash. Përveç veprimtarive të tij të dyshuara kriminale, ai kishte investuar në pasuri të paluajtshme dhe ishte pronar i disa bizneseve në Greqi dhe Shqipëri.
Policia greke vijon hetimet për të zbardhur plotësisht dinamikën e ngjarjes dhe motivet e vërteta të atentatit.