EMRAT/ Kthyen përmbys lokalin e natës për një vajzë, dy të rinjtë: E zgjidhëm…nuk duam kallëzim

Zbardhen detaje të reja nga sherri i ndodhur në orët e para të mëngjesit së 19 korrikut në klubin e natës “Lollipop” në Palasë, që shkaktoi panik mes klientëve dhe tension të madh në ambient.

Sipas njoftimit zyrtar nga Policia, specialistët për Hetimin e Krimeve kanë referuar materialet në Prokurori dhe kanë nisur procedimin penal në gjendje të lirë për shtetasit Fatjon Përshpalaj, 34 vjeç, rezident në Itali, dhe Xhulio Sorra, 31 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Prishja e qetësisë publike”, parashikuar nga neni 274 i Kodit Penal.

Nga hetimet rezulton se për një vajzë, dy të rinjtë janë konfliktuar fizikisht brenda lokalit, duke hedhur në drejtim të njëri-tjetrit gota dhe shishe qelqi. Përplasja e dhunshme ka shkaktuar panik tek të pranishmit, të cilët janë larguar me nxitim nga klubi, ndërsa janë shkaktuar edhe dëme materiale në ambientet e brendshme.

Fatmirësisht, të përfshirët nuk kanë pësuar dëmtime trupore dhe nuk kanë bërë kallëzim penal ndaj njëri-tjetrit, duke deklaruar se konflikti është zgjidhur mes tyre.

Ndërkohë, materialet procedurale janë referuar në Prokurori dhe pritet që organi i akuzës të ndjekë veprimet e mëtejshme ligjore në lidhje me ngjarjen që për pak sa nuk u kthye në një tragjedi mes natës në Palasë.