Emrat/ Arrestohen tre persona në Dubai, të përfshirë në ngjarje të rënda kriminale dhe përkrahës të Talo Çelës
Policia e Shtetit ka finalizuar me sukses tre faza të operacionit të koduar “The Wanted” në Dubai, duke arrestuar tre persona të përfshirë në ngjarje të rënda kriminale kundër personit dhe përkrahës të të shumëkërkuarit Talo Çela. Operacioni u realizua në bashkëpunim me agjencitë ligjzbatuese të Emirateve të Bashkuara Arabe dhe Interpolin, pas shkëmbimit të informacioneve në kohë reale.
Të arrestuarit janë:
– Ervis Daka 38 vjeç – i cili ishte në kërkim ndërkombëtar nga GjKKO që prej vitit 2024, për veprat penale “Vrasja me paramendim” mbetur në tentativë, “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Përkrahja e autorit të krimit”. Ai akuzohet se ka informuar atentatorët për lëvizjet e shtetasit K. P., ka siguruar kushtet për vrasjen e shtetasit A. S. dhe ka strehuar Talo Çelën, duke e ndihmuar të shmangë arrestimin.
– Maksim Koçi 39 vjeç – ndaj tij është caktuar masa e sigurisë “Arrest në burg” për “Vrasja me paramendim” kryer për interes dhe hakmarrje, “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje” dhe “Mbajtja pa leje e armëve”. Ai akuzohet se ka marrë pjesë në vrasjet e shtetasve K. K. dhe I. A., ka siguruar kushtet për vrasjet e shtetasve A. S. dhe A. C. dhe ka ndihmuar Talo Çelën për t’u fshehur.
– Ado Xhika 40 vjeç – akuzohet për “Përkrahja e autorit të krimit” në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal. Ai dyshohet se për dy vjet ka ndihmuar Talo Çelën, duke i krijuar kushtet për jetesë dhe ka shoqëruar një gazetar për intervistimin e tij.
Interpol Tirana vijon bashkëpunimin me autoritetet në Emiratet e Bashkuara Arabe për ekstradimin e këtyre shtetasve drejt Shqipërisë.