Emrat/ Arrestohen në Gjermani dy shqiptarë të kërkuar për drogë dhe vjedhje, pritet ekstradimi në Shqipëri

Dy shtetas shqiptarë, të shpallur në kërkim ndërkombëtar për vepra të ndryshme penale, janë arrestuar në Gjermani si rezultat i operacionit policor të koduar “Exchange 2”, zhvilluar në bashkëpunim mes Interpol Tiranës dhe Interpol Wiesbaden.

Në pranga ka rënë Brian Syzo, 44 vjeç, ndaj të cilit Gjykata e Korçës ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg” për veprën penale “prodhimi dhe shitja e narkotikëve”. Ai akuzohet se në vitin 2022 ka shitur në mënyrë të përsëritur kokainë në lokalin e tij në Pogradec.

Gjithashtu, u arrestua Klevis Gjonkolaj, 20 vjeç, i dënuar nga Gjykata e Tiranës në vitin 2024 me 6 muaj burg për vjedhje, pasi ishte përfshirë në një grabitje në Paskuqan në vitin 2023.

Të dy të arrestuarit ndodhen në paraburgim në Gjermani, ndërsa autoritetet po ndjekin procedurat për ekstradimin e tyre në Shqipëri. Policia shqiptare thekson se vijon bashkëpunimin me partnerët ndërkombëtarë për kapjen e personave të shpallur në kërkim.