EMRAT/ Akuzohen për korrupsion, GJKKO shpall fajtor dy persona! Dënohen me nga dy vite burg

Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka shpallur fajtor dhe ka dënuar me nga dy vite burg shtetasit Kristi Zyka dhe Florian Disha, të akuzuar për veprën penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.

Sipas njoftimit, çështja penale ka përfunduar me vendimin e shpallur më 23 janar 2025, nga trupa gjykuese e përbërë nga gjyqtarët Rudina Palloj, Flora Hajredinaj dhe Bib Ndreca. Fillimisht, të dy të pandehurit u dënuan me 3 vite burgim, por për shkak të gjykimit të shkurtuar, dënimi u reduktua me 1/3, duke u përcaktuar përfundimisht në 2 vite burg.

Gjithashtu, bazuar në vendimin e Gjykatës, Zyka dhe Disha humbasin të drejtën për të ushtruar funksione publike për një periudhë prej 5 vitesh. Të dy të dënuarit do të vuajnë dënimin në një burg të sigurisë së zakonshme.

Vendimi parashikon që shpenzimet procedurale të ngarkohen solidarisht të pandehurve. Ky vendim është i apelueshëm brenda 15 ditëve në Gjykatën e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.