EMRAT/ Aksidenti tragjik në Fushë Prezë, arrestohen katër persona, një tjetër shpallet në kërkim

Një aksident i rëndë ka ndodhur mbrëmjen e 19 marsit 2025, në segmentin rrugor “Vorë – Fushë Krujë”, ku katër persona humbën jetën dhe një tjetër u plagos. Aksidenti, që përfshiu një makinë “Mercedes Benz” dhe një betoniere, ka çuar në arrestimin e katër personave dhe shpalljen në kërkim të dy të tjerëve.

Sipas hetimeve të kryera nga Prokuroria dhe specialistët e Komisariatit të Policisë Rrugore Tiranë, ngjarja ndodhi rreth orës 23:50, kur drejtuesi i “Mercedes Benz”-it, 25-vjeçari Enejd Laçi, dyshohet se ka humbur kontrollin dhe ka goditur betoniere, e drejtuar nga 24-vjeçari Aleksandër Krrashi. Për pasojë, makina është përfshirë nga flakët dhe katër persona, përfshirë drejtuesin e mjetit, kanë humbur jetën.

Në kuadër të hetimeve, janë arrestuar katër persona, përfshirë drejtuesin e betonieres, Aleksandër Krrashin, i cili akuzohet për “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor” dhe “Largimi nga vendi i aksidentit”. Po ashtu, është arrestuar Valentin Krrashi, i afërm i Aleksandër Krrashit, për akuzat e “Përkrahjes së autorit të krimit” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.

Në lidhje me ngjarjen, janë arrestuar edhe Danjel Koxha, menaxher i firmës ku punonte drejtuesi i betonieres, për akuzat e “Shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor” dhe “Punësimi i paligjshëm”, ndërsa është shpallur në kërkim S. H administrator i firmës.

Në hetimet përfundimtare, dyshohet se drejtuesi i betonieres ka qenë pa leje drejtimi për këtë kategori mjeti dhe se menaxheri i firmës nuk kishte marrë masat e nevojshme për pajisjen e betonieres me dokumentacionin e rregullt për qarkullimin në rrugë.

Aktualisht, hetimet janë në vazhdim dhe Prokuroria e Tiranës po punon për zbardhjen e plotë të ngjarjes, ndërsa të arrestuarit pritet të dalin para gjykatës për masat e sigurisë.