Emocionet e futbollit shqiptar zhvendosen në Kupë, Vllaznia ndaj tabusë Egnatia, Tirana do finalen kundër Teutës
Me llogari të hapura në Superligë, emocionet e futbollit shqiptar vijnë këtë mesjavë me duelet e Kupës.
Këtë të mërkurë luhen dy sfidat e para gjysmëfinale, me Vllazninë që luan kundër tabusë Egnatia dhe Teutën që sfidon Tiranën. Në stadiumin “Loro Boriçi”, shkodranët luajnë vendin në finale kundër rrogozhinasve, kundërshtarë direkt edhe për vendin e tretë në kampionat. 180 minuta tepër emocionuese dhe të ekuilibruara të paktën në letër, me Vllazninë që e ndihmon vetëm historia.
Shkodranët janë nën petkun e fituesit të dy sezoneve të fundit të Kupës dhe një triumf në këtë edicion është mëse i mundshëm. Ndërkaq, Egnatia provon për herë të parë këtë raund dhe nuk do ishte çudi që të thyente Vllazninë dhe të vijonte në finalen e madhe. Një objektiv që ndoshta mund t’i shërbejë për të siguruar edhe një vend në Kupat e Europës.
Po të mërkurën në orën 18, Tirana do të ndeshet me Teutën në “Elbasan Arena” . Një sfidë që i shikon bardheblutë të qetë në krye të renditjes, teksa durrsakët në situatë të mirë dhe larg zonës së rënies. Europa kalon pikërisht përmes Kupës për Teutën, që kërkon të eliminojë Tiranën në një përballje të dyfishtë dhe të sigurojë finalen e madhe.