Emigruan ilegalisht jashtë vendit, shuhet ekipi i futbollit

Emigrimi ilegal duket se është një plagë e madhe edhe në futboll.

Skuadra tuniziane e Ghardimaou ka njoftuar tërheqjen nga aktivitetet sportive, pasi 32 lojtarë janë larguar me destinacion jashtë vendit. Lajmi u bë i ditur nga presidenti i klubit që militonte në kategorinë e katërt të futbollit tunizian.

“Kemi vendosur të ndërpresim të gjitha aktivitetet dhe të mos luajmë më ndeshje. Për fat të keq, ne nuk mund t’i paguanim më lojtarët tanë për shkak të krizës në Tunizi, dhe t’u siguronim atyre materiale të përshtatshme futbolli” tha ai për mediat vendase.

Verdikt tepër i dhimbshëm për një ekip rajonal që mediat e cilësojnë si krenaria e atyre banorëve. Por tashmë ky ekip është shuar, me lojtarët e shpërndarë kudo për t’iu përkushtuar një tjetër pune.

32 lojtarët e kësaj skuadre janë larguar në harkun kohor të tre viteve, teksa i përkishnin grupmoshës nga 17 deri në 22 vjeçar. Ata përdornin Serbinë si destinacion fillestar dhe më pas, kalonin në mënyrë ilegale në shtete të tjera Europiane.