Emigrantët, Giorgia Meloni: Nuk tërhiqemi nga marrëveshja me Shqipërinë!

Qeveria italiane nuk do të heqë dorë nga zbatimi i marrëveshjes me Shqipërinë për emigrantët, pavarësisht se të hënën, Gjykata e Romës ktheu për të dytën herë azilkërkuesit e sjellë në kampin e Gjadrit me anijen ushtarake italiane Libra, të premten.

Gazeta Italiane “La Stampa” citon Kryeministren Giorgia Meloni, e cila thotë se gjykatësit po përpiqen ta lodhin qeverinë me vendimet e njëpasnjëshme që pengojnë zbatimin e marrëveshjes. Megjithatë, shefja e qeverisë së Romës këmbëngul se do të vazhdojë ta zbatojë atë.

Në të njejtën linjë edhe zv/Kryeministri Mateo Salvini, i cili thotë se qeveria italiane e ka për detyrë të gjejë zgjidhje për të mbrojtur qytetarët italianë dhe do të vazhdojë ta bëjë.

E përditshmja tjetër Corriere della Sera shkruan se qeveria italiane po përgatit mbrojtjen për t’i dërguar vendimet e Gjykatës së Romës për këtë çështje në Gjykatën e Lartë.