Emigrantë, Meloni: Të vendosur për të respektuar marrëveshjen me Shqipërinë, të ecim përpara!

Kryeministrja italiane, Georgia Meloni pas takimit me komisionerin e BE-së për migracionin u zotua se do të çojë përpara planin për të deportuar emigrantët e parregullt në kampet e ndërtuara në Shqipëri, proces që është bllokuar nga Gjykatat italiane.

Meloni tha se Qeveria e saj ka një mandat popullor për të frenuar flukset e emigrantëve.

“Qeveria është e vendosur të çojë përpara protokollin Itali-Shqipëri. Ne jemi të vendosur të gjejmë një zgjidhje për çdo pengesë që shfaqet. Ne do të ecim përpara “jo vetëm sepse besojmë në protokoll, por edhe sepse pretendojmë të drejtën e politikës për të qeverisur dhe detyrën e politikës për të marrë përgjegjësi”,

“Për flukset migratore, treguesi i shumicës së qytetarëve është shumë i qartë. Ata kërkojnë që të ndalojmë imigracionin ilegal sepse imigracioni i paligjshëm prodhon pasiguri, mungesë integrimi, pamundësi për të garantuar sundimin e ligjit dhe gjithashtu sepse imigracioni ilegal masiv është armiku i parë i emigracionit legal”, tha mes të tjerash Meloni.