Administrata e re e Donald Trump ka shënjestruar Agjencinë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) për ta mbyllur ose për ta futur nën kontrollin e Departamentit të Shtetit. Një nga zërat më të fortë kundër USAID është miliarderi Elon Musk, i cili në një deklaratë të ashpër e ka quajtur atë një “organizatë kriminale” dhe ka kërkuar mbylljen e saj.
USAID, e krijuar në vitin 1961 nga Presidenti John F. Kennedy, është një nga agjencitë më të fuqishme amerikane për ndihmën e jashtme, me një buxhet prej 43.4 miliardë dollarësh vetëm në vitin 2023. Ajo ka investuar 500 milionë dollarë në Shqipëri që prej vitit 1992, duke financuar projekte në drejtësi, bujqësi, zhvillim ekonomik dhe administratë publike.
Sipas rrjetit NBC, dy drejtues të lartë të USAID janë pezulluar dhe qindra punonjës janë pushuar nga puna. Ndërkohë, burime nga Reuters raportojnë se ekipi i Trump po lëviz për të shfuqizuar pavarësinë e agjencisë dhe ta vendosë atë nën kontrollin e Departamentit të Shtetit.
E ardhmja e USAID mbetet e pasigurt, ndërsa ndikimi i mbylljes së saj mund të prekë dhjetëra vende, përfshirë edhe Shqipërinë.