Elon Musk nuk ndalet! Kërkon të blejë ChatGPT për 100 miliardë dollarë

Elon Musk ka bërë një ofertë ambicioze për të blerë OpenAI, kompania që krijoi ChatGPT, për 97.4 miliardë dollarë. Oferta, e raportuar fillimisht nga Wall Street Journal, pritet të riformësojë të ardhmen e inteligjencës artificiale. Musk po udhëheq një grup investitorësh që synojnë të marrin kontrollin e kompanisë, duke e kthyer OpenAI në një kompani plotësisht fitimprurëse.

Musk ka pasur përplasje të hershme me CEO-n e OpenAI, Sam Altman, dhe ka ngritur disa padi kundër kompanisë, duke e akuzuar atë se ka shkelur statutin e saj si organizatë jofitimprurëse. Sipas Musk, OpenAI është shndërruar në një kompani që kërkon të gjenerojë fitime masive, ndryshe nga misioni i saj fillestar.

Nga jofitimprurëse në një vlerësim prej 100 miliardë dollarësh

OpenAI, që fillimisht operonte si organizatë jofitimprurëse, kontrollon një entitet fitimprurës të quajtur OpenAI LP. Brenda pak vitesh, kompania ka kaluar nga një vlerë e ulët në një vlerësim prej afërsisht 100 miliardë dollarësh, falë strategjisë së Sam Altman, i cili konsiderohet si arkitekti i këtij suksesi.

Në një deklaratë, Marc Toberoff, avokati që përfaqëson investitorët e Musk, tha: “Nëse Sam Altman dhe Bordi aktual i OpenAI kanë për qëllim të bëhen një korporatë fitimprurëse, bamirësia duhet të kompensohet ndershëm për humbjen e kontrollit mbi një nga teknologjitë më transformuese të kohës sonë.”

Në një reagim në rrjetin X, Sam Altman refuzoi ofertën e Musk-it dhe u shpreh me ironi: “Jo, faleminderit, por do të blejmë Twitter për 9.74 miliardë dollarë nëse dëshiron.”

Elon Musk, i cili bashkëthemeloi OpenAI në vitin 2015, u largua nga kompania për shkak të mosmarrëveshjeve mbi kalimin e saj në një model fitimprurës. OpenAI u krijua me misionin për të zhvilluar inteligjencën artificiale të përgjithshme (AGI) në mënyrë të sigurt dhe transparente, duke e konsideruar atë një teknologji që mund të përbëjë kërcënim serioz për njerëzimin.

Në fillimet e saj, OpenAI publikonte kodin e produkteve të saj për të garantuar transparencë dhe përfitime të përbashkëta për gjithë shoqërinë.