Elisa Spiropali, e ftuara e nderit në Mëngjesin e Lutjeve në Parlamentin e Austrisë
Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Elisa Spiropali, ka qenë e ftuara e nderit në veprimtarinë tradicionale të “Mëngjesit të Lutjeve”, e zhvilluar këtë të mërkurë në Parlamentin e Austrisë. Ngjarja, e cila organizohet prej vitesh edhe në Kongresin Amerikan dhe Parlamentin Europian, mbledh personalitete të larta politike, fetare dhe publike nga e gjithë bota.
Në këtë takim solemn morën pjesë deputetë të parlamentit austriak, përfaqësues të parlamenteve të vendeve anëtare të Bashkimit Europian, kongresmenë amerikanë dhe përfaqësues nga bota e biznesit dhe komunitetet fetare.
Kryetarja Spiropali, në kuadër të kësaj vizite, zhvilloi një takim të veçantë me Presidentin e Parlamentit të Austrisë, Walter Rosenkranz, ku u diskutua mbi marrëdhëniet shumë të mira mes dy vendeve dhe nevoja për t’i intensifikuar më tej ato, veçanërisht në kontekstin e mbështetjes së Austrisë për procesin e integrimit europian të Shqipërisë.
Spiropali vlerësoi mbështetjen e vazhdueshme që Austria i ka dhënë Shqipërisë dhe theksoi se Kuvendi i Shqipërisë është i angazhuar për të thelluar bashkëpunimin me Parlamentin e Austrisë, bazuar në Protokollin e Bashkëpunimit të nënshkruar në vitin 2020. Ajo theksoi rëndësinë e forcimit të lidhjeve institucionale dhe shkëmbimeve parlamentare në funksion të përparimit të reformave dhe konsolidimit të demokracisë.
Gjatë qëndrimit në Austri, Kryetarja e Kuvendit pati gjithashtu takime me ish-Presidentin e Parlamentit austriak Wolfgang Sobotka, si dhe me parlamentarë e figura të njohura të jetës politike dhe publike nga vende të ndryshme europiane dhe SHBA.