Elbasan, vatër e re zjarri përfshin ullishtet në veriperëndim të qytetit, dyshohet ndërhyrje e qëllimshme

Një vatër e re zjarri shpërtheu pasditen e sotme rreth orës 15:00 në zonën e rrjedhës së përroit të Zaranikës, pranë qytetit të Elbasanit. Flakët u përhapën me shpejtësi duke përfshirë një sipërfaqe të konsiderueshme ullishtash në pjesën veriperëndimore të qytetit, një pasuri e rëndësishme për familjet që merren me kultivimin e ullinjve në këtë zonë.

Banorët e zonës vunë re zjarret dhe njoftuan menjëherë autoritetet, ndërsa ndërhyrja e shpejtë e forcave zjarrfikëse ka qenë vendimtare për të frenuar përhapjen e flakëve, të favorizuara nga temperaturat e larta dhe era në drejtimin e ullishtës. Ekipet e emergjencës kanë punuar gjatë pasdites për lokalizimin e zjarrit dhe mbrojtjen e banesave pranë zonës së prekur.

Shkaqet e fillimit të zjarrit nuk janë ende të qarta, por autoritetet dyshojnë se mund të jetë shkaktuar nga ndërhyrje të qëllimshme ose pakujdesi njerëzore.