Elbasan/ Shpërthimi me lëndë plasëse në katin e parë të pallatit ishte i inskenuar, në pranga nipi i pronarit të banesës

Detaje tronditëse kanë dalë nga hetimet për shpërthimin me lëndë plasëse të ndodhur më 1 maj, rreth orës 00:05, në lagjen “Partizani” të qytetit të Elbasanit. Fillimisht u raportua se shpërthimi kishte ndodhur në katin e parë të një pallati, në banesën e shtetasit A. P., por hetimet kanë zbuluar se ngjarja ishte inskenuar.

Burime nga policia bëjnë me dije se pas këtij akti qëndrojnë vetë pronarët e banesës, të cilët e kanë organizuar skenarin në bashkëpunim me nipin e kryefamiljarit, shtetasin Ardit Pepa.

Dyshohet se qëllimi i inskenimit ka qenë përfitimi nga dëmtimi i banesës, ndoshta për çështje siguracioni apo për të krijuar një situatë të sajuar kërcënimi. Familjarët që zotërojnë apartamentin mësohet se jetojnë jashtë vendit dhe udhëtojnë drejt të njëjtit shtet europian sa herë largohen nga Shqipëria.

Shpërthimi ndodhi në një kohë kur në banesë nuk ndodhej askush dhe fatmirësisht pati vetëm dëme materiale. Pamjet e kamerave të sigurisë kanë dokumentuar një burrë që vendos lëndën plasëse para hyrjes së apartamentit.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon veprimet për të përcaktuar motivet e plota dhe për të identifikuar përgjegjësit e tjerë të mundshëm të përfshirë në inskenimin e ngjarjes.