Policia e Elbasanit ka finalizuar operacionin e koduar “Risku”. Një 30-vjeçar u vu në pranga pasi nuk iu bind urdhërit të policisë, duke mos ndaluar automjetin me të cilin shpërndante Kokainë dhe Cannabis.
Shtetasi me iniciale, E.S., u largua me shpejtësi, duke i rrezikuar jetën punonjësve të Policisë. Gjithashtu procedohet penalisht babai i këtij shtetasi.
Në banesën e këtyre shtetasve u gjetën:
630 gramë Cannabis, një sasi Kokaine, 3 armë gjahu, 2 armë të ftohta (thika), 1 armë sportive, 55 fishekë, sasi baruti me të cilin mbusheshin fishekët, 1 palë dylbi dhe 1 dedektor metal-kërkues.
NJOFTIMI I POLICISË:
Në vijim të aksioneve policore kundër veprimtarive kriminale në fushat e narkotikëve dhe armëmbajtjes pa leje, shërbimet e Sektorit për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme Operacionale dhe me shërbimet e Komisariatit të Policisë Peqin, finalizuan operacionin e koduar “Risku”.
Në kuadër të operacionit u vu në pranga shtetasi E. S., 30 vjeç dhe u procedua në gjendje të lirë, babai i tij, shtetasi F. S., 67 vjeç, të dy banues në Peqin.
Në bazë të informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore, në lagjen “Teqe”, i është bërë shenjë ndalimi, automjetit me drejtues shtetasin E. S., i cili dyshohej se shiste Kokainë dhe Cannabis, në Peqin. 30-vjeçari nuk i është bindur urdhrit për ndalim, por ka vijuar lëvizjen me shpejtësi, duke rrezikuar jetën e punonjësve të Policisë.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.