Elbasan/ Policia publikon masat e sigurisë për “Giro d’Italia 2025”, bllokohen disa akse rrugore më 9 maj

Në kuadër të garës ndërkombëtare çiklistike “Giro d’Italia 2025”, e cila do të zhvillohet më 9 maj, Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan ka publikuar masat e sigurisë për garantimin e rendit dhe mbarëvajtjen e këtij eventi të rëndësishëm sportiv.

Sipas njoftimit zyrtar, do të ketë bllokim të përkohshëm të qarkullimit të automjeteve nga ora 11:30 deri në 15:30, në aksin rrugor Karinë – Peqin – Bradashesh – Shijon – Gracen, si dhe në të gjitha rrugët dytësore që lidhen me këtë segment.

Po ashtu, do të ndalohet lëvizja e kamionëve nga Qafë Thana gjatë orarit të aktivitetit për të garantuar sigurinë e garuesve dhe spektatorëve.

Si rrugë alternative për udhëtim drejt jugut, policia ka sugjeruar itinerarin “Elbasan – Kryqëzimi i Cërrikut – Cërrik – Belsh – Kuçovë”.

Policia apelon për bashkëpunim dhe mirëkuptim nga qytetarët dhe drejtuesit e mjeteve, duke i këshilluar që të shmangin qarkullimin në segmentet e garës dhe të përdorin rrugët alternative për të evituar vonesa dhe konfuzion.