Elbasan/ Plagosi 53-vjeçarin me armë gjahu, arrestohet 32-vjeçari! Në banesë i gjendet automatik me silenciator, dyshime për përfshirje në krime të tjera

Një 32-vjeçar me precedent penal është arrestuar nga Policia e Elbasanit, pasi plagosi me armë gjahu një 53-vjeçar pas një konflikti për motive të dobëta. I dyshuari, Ilir Dedja, qëlloi me armë gjahu shtetasin B. B. në lagjen Haxhias, duke e lënë të plagosur në këmbë. Fatmirësisht, i dëmtuari ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Gjatë kontrolleve në banesën e të arrestuarit, Policia gjeti armën e gjahut të përdorur në plagosje, si dhe një automatik me silenciator dhe municion luftarak. Kjo armë është dërguar në Institutin e Policisë Shkencore për ekzaminime të mëtejshme, për të verifikuar nëse është përdorur në ngjarje të mëparshme kriminale.

Po ashtu, është proceduar penalisht edhe një 35-vjeçar me inicialet A. M., i cili dyshohet se ka patur dijeni për ngjarjen, por nuk e ka kallëzuar në polici.

Materialet hetimore i kanë kaluar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.