Arjon Hasaj, 29 vjeç, autori i vrasjes së 33 vjeçarit Ramazan Mataj, një ngjarje që ndodhi në fshatin Dragoç të Postrribës, ka pranuar para grupit hetimor se e ka kryer vrasjen.
Ai është shprehur se: ‘Unë nuk jam kriminel, por nga ai (Ramazan Mataj) nuk kishim asnjë mundësi të jetonim këtu. I kemi shkuar 6 muaj më parë dhe i kemi thënë:
“Motra jonë e ke ndarë nga dy burra, na lë rehat se kemi halle mjaftueshëm të shkaktuara prej teje”. Ai jo vetëm që nuk ka ndaluar, por ka vazhduar, madje ka treguar dhe ka shpërndarë video të motrës tonë. Motrës i kemi thënë ‘lanet’ (e kemi nxjerrë nga shtëpia), ajo jeton në Shkodër. Por nuk kishim më fytyrë të dilnim nga shtëpia për shkak të tij dhe veprimeve që bënte, si dhe fjalëve që thoshte. I ka dërguar video edhe ish-burrit të motrës. Nuk kishim më pse të dilnim nga shtëpia, për turpin dhe rëndësinë që ai na shkaktonte çdo ditë. Para 4 ditësh kam hapur një llogari false në Instagram në emër të një vajze dhe kam komunikuar me të, ku kam lënë takimin. Pasi e kam qëlluar, jam larguar me biçikletë, kam fshehur armën dhe jam kthyer për ta marrë dhe për ta fshehur në oborrin e shtëpisë. As vëllai as babai nuk kanë pasur dijeni se unë do të bëja vrasjen. Unë s’jam kriminel, por ai (Ramazan Mataj) nuk na ka lënë rehat të jetojmë.'” ka qënë deklarata e tij në polici.