Ekzekutoi bashkëfshatarin për pronën, gjykata lë në burg 53-vjeçarin e akuzuar për vrasjen e Dodë Mamlit
Gjykata e Lezhës ka vendosur masën e sigurisë “arrest me burg” për 53-vjeçarin Dashnor Tota, i cili akuzohet për ekzekutimin me armë zjarri të bashkëfshatarit të tij, Dodë Mamli, pas një konflikti për pronën.
Krimi i rëndë ndodhi pasditen e së hënës, më 24 shkurt, në fshatin Vilëz të Kurbinit. Pas një operacioni të shpejtë të Policisë së Lezhës në bashkëpunim me Forcën Kombëtare të Sigurisë, autori u arrestua në fshatin Zhejë, Kurbin, ku i është gjetur edhe arma me të cilën dyshohet se kreu vrasjen.
53-vjeçari akuzohet për “vrasje me paramendim” dhe “armëmbajtje pa leje”. Policia dhe prokuroria po vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe motiveve që çuan në këtë krim.
E shkuara e përgjakshme e familjes Mamli
Dodë Mamli, viktima e ekzekutuar në Kurbin, është babai i Enrik (Elton) Mamli, i cili në vitin 2015 u përfshi në një masakër të armatosur në Mamurras, ku u vra një person dhe u plagosën tre të tjerë.
Ngjarja e vitit 2015 lidhej me një konflikt të nisur në Itali për një borxh prej 250 mijë eurosh që Enrik Mamli kishte ndaj Naim Tafës për çështje të trafikut të prostitucionit. Përplasja përfundoi në një atentat të armatosur në qendër të Mamurrasit, ku mbeti i vrarë Naim Tafa dhe u plagosën disa persona të tjerë.
Pas hetimeve, prokuroria kërkoi 107 vite burg për të përfshirët në masakrën e Mamurrasit, përfshirë vëllezërit Tom dhe Enrik Mamli, të cilët u akuzuan si organizatorët e sulmit të përgjakshëm.
Ndërsa vrasja e Dodë Mamlit është konsideruar një konflikt pronësor, autoritetet po hetojnë nëse mund të ketë lidhje me ngjarjet e kaluara dhe përplasjet e dhunshme mes familjeve në këtë zonë.