Ekzekutohet në mes të ditës në Athinë lideri i mafies greke, i kishte shpëtuar një atentati në vitin 2020
Ekzekutohet në mes të ditës në Greqi një prej liderëve të mafies, Georgios Moschouris — autorët djegin makinën dhe zhduken
Një atentat mafioz tronditi Greqinë mesditën e kësaj të enjteje, ku në zonën e Halkandrit, në Athinë, u ekzekutua me armë zjarri Georgios Moschouris, i njohur me nofkën “Thamnaki”, një nga figurat kryesore të botës së krimit në shtetin helen.
Ngjarja ndodhi në mënyrë të ftohtë dhe të planifikuar mirë. Moschouris, sapo kishte dalë nga një qendër private mjekësore, kur persona të armatosur, ende të paidentifikuar, iu afruan me një automjet dhe e qëlluan me armë automatike, tip kallashnikov. Ai u qëllua disa herë, ku sipas raportimeve të para, një pjesë e plumbave e goditën drejtpërdrejt në fytyrë, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme.
Në vendin e ngjarjes janë gjetur shumë gëzhoja plumbash, që dëshmojnë për intensitetin e sulmit dhe synimin e autorëve për të mos i lënë asnjë shans të gjallë viktimës. Vrasja është konsideruar si një atentat klasik mafioz, me organizim të kujdesshëm dhe ekzekutim të shpejtë.
Vetëm pak minuta pas krimit, në zonën e Patimës së Halkandrit, u gjet një automjet i djegur, për të cilin policia dyshon se është përdorur nga autorët për të kryer atentatin dhe për të ikur. Djegia e mjetit duket se ishte pjesë e planit për të zhdukur gjurmët dhe për të penguar hetimet.
Policia greke ka rrethuar zonën dhe ka nisur hetime intensive për identifikimin dhe kapjen e autorëve. Aktualisht, janë duke u analizuar pamjet nga kamerat e sigurisë në zonë, ndërsa po merren në pyetje dëshmitarë të mundshëm që ndodheshin afër vendit të krimit.
Georgios Moschouris nuk ishte emër i panjohur për autoritetet. Ai kishte shpëtuar nga një atentat tjetër në vitin 2020, në zonën e Voula-s, pranë një pastiçerie të njohur, ku gjithashtu ishte qëlluar me armë. Prej asaj kohe, ai konsiderohej si objektiv i mundshëm i mafies, për shkak të konflikteve të shumta në botën e krimit të organizuar në Greqi.
Hetimet janë përqendruar edhe në të kaluarën kriminale të viktimës, lidhjet dhe rivalitetet e tij, për të kuptuar motivet e atentatit dhe për të zbardhur autorësinë. Nuk përjashtohet që vrasja të jetë pjesë e një lufte të brendshme për pushtet në botën e krimit grek.