Ekzekutohet me armë zjarri 19-vjeçari shqiptar në Francë, dyshohet për…
Një ngjarje e rëndë kriminale ka tronditur qytetin Clermont-Ferrand në Francë mbrëmjen e së dielës, ku një 19-vjeçar shqiptar është ekzekutuar me armë zjarri në mes të rrugës. Ngjarja ndodhi në zonën e stacionit të trenit SNCF, konkretisht në Avenue Charras, një zonë e njohur dhe e frekuentuar e qytetit.
Sipas mediave franceze, viktima u qëllua nga një makinë në lëvizje, ku autori hapi zjarr dhe më pas u largua me shpejtësi nga vendi i krimit. Policia dhe shërbimet e urgjencës mbërritën menjëherë, por përpjekjet për ta reanimuar të riun ishin të kota. Mjekët e shpallën të vdekur pak para orës 20:30.
Burime nga policia thanë për mediat lokale se viktima, një shtetas shqiptar, nuk ishte i njohur për autoritetet franceze dhe nuk kishte precedentë penalë. Megjithatë, vendndodhja e ngjarjes pranë një zone të njohur për shpërndarje të lëndëve narkotike ka shtuar dyshimet se vrasja mund të ketë lidhje me aktivitete kriminale.
Për zbardhjen e ngjarjes është angazhuar Divizioni për Kriminalitet të Organizuar dhe të Specializuar (DCOS), i cili ka nisur hetimet për identifikimin dhe kapjen e autorit. Deri tani, identiteti i viktimës nuk është bërë publik.