Policia e Vlorës ka ofruar një shpërblim prej 30 mijë eurosh për këdo që jep informacion lidhur me vrasjen e 23 vjeçarit Gëzim Sinomati, i cili u ekzekutua me snajper mbrëmjen e 7 janarit në lagjen “Hajro Çakërri”.
Ndërkohë që hetimet e thelluara dhe kontrollet e pandërprera vijojnë, policia ka ftuar qytetarët që mund të kenë informacion të vlefshëm që mund t’i çojë në identifikimin e autorëve që të telefonojnë në numrin 0694173022. Në njoftim theksohet se personave që japin informacione, u garantohet anonimiteti.
“Lidhur me ngjarjen e ndodhur më datë 07.01.2024, në lagjen “Hajro Çakërri”, Vlorë, ku mbeti i vrarë me armë zjarri shtetasi G. S., 23 vjeç, grupi i posaçem hetimor vijon veprimet e thelluara dhe kontrollet e pandërprera për zbardhjen dhe dokumentimin e saj. Në këtë kuadër, DVP Vlorë fton qytetarët që të japin informacion për këtë ngjarje dhe ofron shpërblimin 30 000 euro, për çdo informacion të vlefshëm që do të çojë në identifikimin dhe kapjen e autorëve. Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë vë në dispozicion të qytetarëve, numrin e telefonit 0694173022, duke garantuar anonimatin e plotë të çdo telefonuesi”- thuhet në njoftimin zyrtar.
Për kapjen e autorëve të vrasjes mafioze të ndodhur në Vlorë, policia, FNSH dhe RENEA prej ditësh kanë blinduar qytetin bregdetar në ndjekje të pistave të ndryshme të hetimit. Që pas ngjarjes së ndodhur edhe drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku ka zbarkuar në qytetin e Vlorës ku ka ngritur një grup të posaçëm për hetimin e ngjarjes.
23 vjeçari Gëzim Sinomati u ekzekutua me snajper mbrëmjen e së dielës më 7 janar teksa kishte dalë në ballkonin e katit të tretë të banesës së tij duke pirë një cigare. Varrimi i të riut u bë më 9 janar, ku mori pjesë edhe babai i tij Sokol Sinomati ishte i njohur si “buzëderri” ish-anëtar i bandës së Gaxhait në Vlorë. Ky i fundit i larguar nga Shqipëria në 2017-n, ndodhej në burg, pas arrestimit të tij në 2021 në Belgjikë, për çështje droge.
Shoqërimi i tij nga burgu drejt vendit ku u bë varrimi u bë nën masa të rrepta sigurie. Deri më tani, një nga pistat që po hetohet për ngjarjen është hakmarrja. I riu që u ekzekutua kishte ardhur nga Belgjika dy herë brenda muajit, sepse i vdiq gjyshja dhe kishte vendosur të priste edhe të atin, që thuhet se do të dilte nga burgu për pak ditë. Por kundërshtarët, vepruan shpejt.
Policia nuk ka rënë ende në gjurmë të autorëve, që dyshohet të jenë tre por disa persona janë arrestuar deri tani. Dyshohet se qitja me snajper është bërë nga sedilja e pasme e automjetit tip “BMW” që u gjet e djegur rreth 1 orë pas ekzekutimit dhe më pas u zbulua se ishte vjedhur në Shkodër.