Ekzekutimi mafioz i Kristian Markut! Kamerat fokusojnë automjetet, autorët qëllojnë makinën dhe …

Policia e Vlorës vijon punën intensive për zbardhjen e vrasjes së ndodhur në autostradën Fier-Vlorë, pranë fshatit Novoselë. Grupi hetimor po shqyrton pamjet e kamerave të sigurisë në bizneset përgjatë aksit rrugor, si dhe lëvizjet e mjeteve në orët e para të mëngjesit dhe gjatë ditës kur ndodhi ngjarja.

Burime pranë policisë bëjnë me dije se autorët dyshohet të jenë nga Vlora ose të kenë pasur ndihmës që njohin mirë territorin. Këto dyshime bazohen në faktin se dinamika e ngjarjes ka përfshirë një plan të detajuar, duke nisur me vjedhjen e targave të një oficeri policie, përdorimin e tyre në atentat dhe arratisjen e organizuar të autorëve.

Pamjet nga kamerat e një karburanti tregojnë momentin kur automjeti i viktimës dhe mjeti i autorëve kalojnë njëri pas tjetrit. Autorët dyshohet se kanë ndjekur automjetin e drejtuar nga Kristian Marku përpara se të kryenin atentatin. Ata i janë afruar makinës së tij paralelisht me dritën e sinjalit të ndezur dhe kanë qëlluar fillimisht një herë, më pas disa herë radhazi. Pas të shtënave, automjeti i viktimës ka lëvizur për inerci, duke u përplasur me trafikndarësen.

Dëshmitarët në vendngjarje raportojnë se janë dëgjuar frenime dhe ferkim gomash, që tregojnë se përplasja ka ndodhur me shpejtësi. Grupi hetimor vlerëson se autorët kanë pasur përvojë në kryerjen e një vrasjeje të tillë, pasi ekzekutimi në automjete në lëvizje kërkon precizion dhe përqendrim të lartë.

Policia po vijon kontrollin e kamerave të sigurisë në të gjithë njësinë administrative Novoselë për të identifikuar gjurmët e mjetit të autorëve. Gjithashtu, zbardhja e vjedhjes së targave konsiderohet një hap kyç në hetime, që mund të ndihmojë në identifikimin e personave të përfshirë.

Hetimet mbeten të hapura dhe policia ka intensifikuar punën për të zbardhur plotësisht këtë ngjarje të rëndë.