Ekzekutimi mafioz i 29-vjeçarit në Durrës, kush fshihet pas atentatit ndaj Ermir Dedjas?

Vrasja e Ermir Dedjas, 29 vjeç, në Durrës, vijon të mbetet e pazbardhur, ndërsa hetuesit janë përqendruar në një ngjarje që mban të gjitha karakteristikat e një atentati mafioz. Ngjarja ndodhi në orët e para të mëngjesit të së martës, dhe autori apo autorët vijojnë të jenë të paidentifikuar.

Grupi hetimor është angazhuar intensivisht në mbledhjen e çdo të dhëne që mund të ndihmojë në zbardhjen e kësaj vrasjeje të rëndë. Pista kryesore e hetimit lidhet me larjen e hesapeve për shkak të prishjes së pazareve të drogës, megjithatë nuk janë përjashtuar edhe pista të tjera.

Në kuadër të hetimeve janë marrë në pyetje nëna e viktimës, familjarë dhe miq të tij, për të ndihmuar në ndriçimin e rrethanave të ngjarjes dhe për të kuptuar më shumë mbi konfliktet e mundshme që Dedja mund të ketë pasur.

Një element kyç në këtë ngjarje është gjetja e një automjeti të djegur në Gërdec të Tiranës, disa orë pas vrasjes, ku brenda tij u zbulua edhe një armë zjarri. Ky mjet dyshohet se u përdor nga autorët për t’u larguar pas krimit. Djegia e makinës dhe braktisja e saj me armë brenda përputhet me metodën e përdorur shpesh nga grupe kriminale për të fshirë gjurmët dhe për të shmangur ndjekjen e tyre nga autoritetet.

Policia dhe prokuroria janë duke vijuar hetimet në disa drejtime, ndërkohë që autorët mbeten ende në kërkim.